Proceset softuerike janë aktivitetet e përfshira në prodhimin e një sistemi softuerik. Modelet e procesit të softuerit janë paraqitje abstrakte të këtyre proceseve.

Modelet e përgjithshme të procesit e përshkruajnë organizimin e proceseve softuerike. Shembuj të këtyre modeleve të përgjithshme përfshijnë modelin ujëvarë, zhvillimin rritës (incremental), dhe zhvillimin e orientuar kah ripërdorja.

Inxhinierimi i kërkesave është procesi i zhvillimit të një specifikacioni të softuerit. Specifikacionet synohen t’ua komunikojnë zhvilluesve të sistemit nevojat sistemore të klientit.

Proceset e projektimit dhe të implementimit merren me transformimin e një specifikacioni të kërkesave në sistem të ekzekutueshëm softuerik. Metodat sistematike të projektimit mund të përdoren si pjesë e këtij transformimi.

Validimi i softuerit është procesi i kontrollimit se sistemi përputhet me specifikacionin e tij dhe se i plotëson nevojat reale të përdoruesve të sistemit.

Evolucioni softuerik ndodh kur i ndryshoni sistemet ekzistuese softuerike për t’i plotësuar kërkesat e reja. Ndryshimet janë të vazhdueshme dhe softueri duhet të evoluojë për të mbetur i dobishëm.

Proceset duhet të përfshijnë aktivitete për t’ia dalë me ndryshimin. Kjo mund ta përfshijë një fazë të prototipimit që ndihmon të shmangen vendimet e dobëta në kërkesa dhe në projektim. Proceset mund të strukturohen për zhvillim dhe dorëzim iterativ ashtu që ndryshimet mund të bëhen pa e prishur sistemin si tërësi.

Rational Unified Process është proces bashkëkohor i përgjithshëm që është i organizuar në faza (inception-zanafilla, elaboration-zhvillimi, constructionkonstruktimi, dhe transition-tranzicioni) por i ndan aktivitetet (kërkesat, analizën dhe projektimin-dizajnin, etj.) nga këto faza.

Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit

WWW.STUDENTËT.MK

About Author