Pyetja: Pse nuk është e mundshme që morali të jetë produkt i shpikur nga truri ose nga shoqëria?
Përgjigjja: Truri përbëhet saktësisht prej materialeve të njëjta sikurse bota materiale…! Pavarësisht se sa i komplikuar është truri ose përbërjet materiale, rezultati i një shume të zerove nuk do të jetë gjë tjetër përveçse zero. Kështu, nëse materia nuk njeh as të mirën e as të keqen, atëherë e njëjta gjë vlen edhe për trurin.
Këtu pyesim ateistin: Si u shfaq koncepti i së mirës dhe së keqes kur gjithë bota materiale është moralisht neutrale, rrjedhimisht nuk njeh as të mirën e as të keqen?
Pyetja e dytë: Sipas trurit, çfarë e pengon shfarosjen e gjithë njerëzve në Tokë? Çfarë e pengon vendosjen e racave (të paragjykuara si inferiore) në kafaze kafshësh? Çfarë e pengon asgjësimin e të sëmurëve, të paaftëve, personave me aftësi të kufizuara dhe racave të paragjykuara si inferiore që t’u ndodhë sikurse ajo që ndodhi në projektin e seleksionimit natyror të kryer nga nazistët – Projekti Aksioni T4?
Truri, në formën e tij materiale, nuk është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të tilla duke i vlerësuar ato si të gabuara ose të drejta. Truri është plotësisht neutral kur bëhet fjalë për moralin, pasi është i përbërë prej të njëjtave atome që i ka toka. Në fakt, truri dhe morali nuk kanë asnjë lidhje.
Sa i përket idesë se shoqëria është themeluese e moralit, kjo do të ishte e çuditshme, pasi morali ka të bëjë me njeriun si njeri dhe jo me shoqërinë në tërësi. Për më tepër, sikurse materiali, edhe shoqëria përbëhet prej elementeve të ndryshme dhe shuma e zerove përsëri do të prodhojë vetëm zero.
Pra, si e shpiku shoqëria moralin, i cili në radhë të parë nuk i përket botës materiale? Në këtë rast, nëse kjo do të ishte e saktë dhe ne e konsiderojmë moralin produkt të shoqërisë, atëherë nazistët do të kenë të drejtë në shfarosjen e të tjerëve, sepse shoqëria do ta besonte këtë gjë si diçka që është morale. Kur bota vendosi të ndjekë penalisht nazistët, ky vendim u bazua në faktin se morali është diçka absolute dhe jo produkt i shoqërisë. Përndryshe, ata nuk do të kishin mundur t’i ndjekin penalisht nazistët dhe nuk do ta kishin kuptuar fare se ata kishin bërë gabim.
Në fakt, morali është i pavarur nga shoqëria, e drejta është e drejtë edhe në shoqëritë e mira edhe në ato të këqija. Po kështu, gabimi është gabim si në shoqëritë e mira ashtu edhe në ato të këqija. Morali ka një kuptim që shtrihet përtej trurit dhe komunitetit.
Dr. Hejthem Talat
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK