Pyetje: Pse nuk mund të ketë më shumë se një Krijues të pakrijuar?

Përgjigja: Allahu i Plotfuqishëm ka thënë:

“Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin.”
[Surja el-Enbija: 22]

Ekzistenca e një Zoti tjetër së bashku me Allahun përfshin shumëfishim, ndërsa shumëfishimi përfshin pamjaftueshmëri. Pamjaftueshmëria e Krijuesit, – i Lartësuar qoftë mbi këtë, – e bën gjithësinë të pasigurt dhe të cenueshme, madje sjell prishjen e gjithësisë. Nuk ka asnjë garanci që universi do të mbijetojë me një Zot të mangët!

“Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!”
[Surja el-Enbija: 22]

I Lartësuar është Krijuesi mbi pamjaftueshmërinë dhe nevojshmërinë. Ai është i Vetëmjaftueshëm, Mbajtës i çdo gjëje. Duke i shtuar asaj që u përmend më lart, nëse do të kishte dy ose më shumë zota në qiej dhe Tokë, atëherë mundësia e konfliktit do të ishte më e arsyeshme sesa të qenët në harmoni, sepse zota të shumtë do të nënkuptonin një mori vullnetesh, ndërsa shumësia e vullneteve do të shkaktonte pamjaftueshmëri të secilit prej tyre, gjë që do të sillte më pas prishjen e qiejve dhe të Tokës.

Dispozita natyrore e njeriut vërteton se Allahu është Një. Fizikan apo jo, me të parë këtë univers, njeriu e percepton që ka vetëm një Krijues, sepse kjo është një prirje e natyrshme njerëzore.

Pyetja: Pse feja?

Përgjigjja: Edhe ateisti më i vendosur do të besonte se të thuash të vërtetën është më mirë se të gënjesh, apo jo? Ai do të besonte se ndershmëria është më e mirë se pandershmëria, apo jo? Këta janë terma që nuk kanë lidhje me këtë botë dhe nuk ka asgjë në botën materiale që justifikon kuptimin ose domethënien e tyre. Cili është kuptimi i së vërtetës? Cili është kuptimi i ndershmërisë? Nëse bëjmë një analizë të thellë të atomit, a do të zbulojmë disa kuptime sikurse e vërteta dhe gënjeshtra? Nëse vëzhgojmë formën fizike të galaktikave ose kiminë e hormoneve, a do të vëzhgojmë: ndershmëri apo pandershmëri – tradhti?

Terma të tillë nuk i përkasin kësaj bote materiale. Megjithatë, ata janë terma realë dhe janë nga çështjet më domethënëse. Në fakt, vlera e një njeriu bazohet në moralin e tij, jo në madhësinë e tij fizike, numrin e atomeve ose nivelin e energjisë së qelizave të tij. Vlera e tij matet me përkushtimin e tij të brendshëm ndaj detyrave hyjnore. Asgjë nga bota materiale nuk e ka këtë vlerë të përbashkët me njeriun. Mund të ketë një njeri të mirë dhe një të keq, megjithatë nuk ka mal të mirë dhe të keq. Ne nuk mund të zbulojmë një planet të ndershëm dhe një tjetër të pabesë. Vetëm njeriu merret me vlerat, qëllimin e jetës dhe me ekzistencën. Vetëm njerëzit dhe xhinët e kuptojnë (faktin) se ata janë nën detyrën fetare. Perceptimi i kuptimit të moralit nuk është gjë tjetër veçse pjesë e ndjenjës sonë të brendshme instinktive të detyrës hyjnore. Prandaj, feja është thelbësore që njeriu të kuptojë.

Feja është e vetmja gjë që justifikon kuptimin e moralit, pse ekziston morali dhe pse ne ndiejmë nevojën t’i përmbahemi. Është e vetmja gjë që i jep moralit tiparin e tij dallues, sepse feja mund të kuptohet vetëm në parametrat e detyrës hyjnore. Vetëm nëpërmjet fesë mund ta dimë se morali është i natyrshëm për racën njerëzore. Dhe nëpërmjet fesë, ne e njohim qëllimin e ekzistencës dhe e dimë se morali që e ndiejmë të nevojshme t’i përmbahemi, edhe nëse nuk e bëjmë këtë, është pjesë e detyrës hyjnore. Pra, feja është një domosdoshmëri njerëzore.

Gjithashtu, përmes fesë ne e dimë pse jemi këtu e çfarë vjen pas vdekjes dhe e dimë kuptimin e ekzistencës. Dhe, (feja i përgjigjet pyetjes) çfarë kërkohet nga ne në këtë jetë? Pra, feja është një domosdoshmëri për të ditur gjërat më të rëndësishme që e preokupojnë njeriun. Prandaj, pa fenë, gjithë bota do të kthehej në verbëri dhe në diçka të pavlerë.

Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk ka rrugë drejt lumturisë dhe suksesit, as në këtë botë e as në botën tjetër, përveçse nëpërmjet të dërguarve. Nuk ka asnjë mënyrë për të njohur të mirën dhe të keqen në hollësi përveçse nëpërmjet tyre. As kënaqësia e Allahut nuk do të arrihet kurrë, përveçse nëpërmjet tyre.”

Bota është e errët dhe e mallkuar, përveç asaj mbi të cilën ka lindur dielli i fesë dhe dielli i Mesazhit, siç thotë shejhul-islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!).

Pa fenë nuk mund të njihet qëllimi i ekzistencës e as kuptimi dhe vlera e së mirës. Pa mesazhet hyjnore, bota kthehet në një absurditet të frikshëm. Kur feja të zhduket dhe njerëzit të mohojnë profecinë, njeriu do të kthehet në mbeturina të yjeve, siç thotë Carl Sagan, dhe në një insekt, siç thotë Sartri. Atëherë njeriu në fakt bëhet mbetje kimike, ose, më saktë, llum kimik, siç thotë Stephen Hawking.

Profecia është pulsi i vetëm i ekzistencës dhe pa profecinë, shpikjet më të mrekullueshme dhe dëshirat më të këndshme kthehen në tmerr! Pa fenë, bota me gjithë bukurinë e saj shndërrohet në një fantazmë të frikshme.

Nëse i bëni ndonjë ateisti ndonjë pyetje ekzistenciale, si: “Pse jemi në këtë botë ose çfarë vjen pas vdekjes?”, ai ose do ta shtrembërojë pyetjen tuaj, ose thjesht do të qëndrojë pa folur fare. Prandaj, feja është një kriter i natyrshëm për të kuptuarit njerëzor dhe për të kuptuar domosdoshmërinë e vlerave morale. Gjithashtu, feja është thelbësore për njohjen e kuptimit e qëllimit të ekzistencës dhe për përmbushjen e robërisë ndaj Allahut, përmes së cilës arrihet shpëtimi.

Dr. Hejthem Talat

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *