Meshkujt që rrallë përdorin telefonat e tyre mund të kenë spermë me cilësi më të lartë, sugjeron një studim i ri. Telefonat celularë mund të jenë një arsye pse numri i spermatozoideve mashkullorë dhe kualiteti i spermës ka rënë në mënyrë dramatike gjatë gjysmës së shekullit të kaluar, ka zbuluar një studim i ri. Ky trend është shqetësues, sepse cilësia e dobët e spermës – e cila mund të përfshijë numër të ulët të spermatozoideve në spermë, si dhe lëvizshmëri të ulët të spermatozoideve, ose aftësi të reduktuar për të lëvizur në mënyrë efikase, morfologji jonormale të spermatozoideve, me madhësi dhe formë të parregullt – mund të ulë fertilitetin e një burri.
Për vite me radhë, shkencëtarët kanë debatuar nëse përdorimi i celularit ose mbajtja e pajisjeve celulare në xhepa shumë afër organeve gjenitale, mund të shkaktojë cilësi të dobët të spermës ose infertilitet mashkullor.
Për studimin e ri, studiuesit ekzaminuan përdorimin e celularit dhe cilësinë e spermës në më shumë se 2,500 të rinj të moshës 18 dhe 22 vjeç, si vlerësim të detyrueshëm pjesë e kontrolleve ushtarake në Zvicër. Ata të gjithë iu nënshtruan ekzaminimeve fizike, siguruan mostra të spermës dhe plotësuan pyetësorët në lidhje me zakonet e tyre të jetesës, historinë shëndetësore dhe përdorimin e celularit.
Në përgjithësi, meshkujt që përdornin celularët e tyre më shumë se 20 herë në ditë kishin 21 për qind më shumë gjasa të kishin numër të ulët të spermës, sipas rezultateve të studimit të publikuara në revistën Fertility and Sterility.
PYETJE RRETH PËRDORIMIT TË CELULARIT DHE CILËSISË SË SPERMËS
Edhe pse kjo ofron një shpjegim të mundshëm për atë se pse numri i spermës mashkullore ka rënë, nuk provon se telefonat celularë e shkaktojnë drejtpërdrejt këtë problem, ose se meshkujt që përdorin celularë po rrezikojnë automatikisht fertilitetin e tyre, thotë Allan Pacey, MBE, PhD. profesor i andrologjisë në Universitetin e Mançesterit në Angli, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.
“Studimi përshkruan një lidhje statistikore midis përdorimit të celularit dhe cilësisë së spermës, por nuk provon se ekziston një lidhje,” thotë Dr. Pacey. “Të tjerë kanë spekuluar se rrezatimi elektromagnetik nga celulari mund të jetë i mjaftueshëm për të penguar prodhimin e spermës në një farë mënyre, por po ashtu mund të ndodhë që përdoruesit e shumtë të celularëve të bëjnë diçka tjetër në jetën e tyre që ka ndikim në cilësinë e spermës së tyre.”
FORMA DHE SHPEJTËSIA E SPERMATOZOIDEVE NUK NDIKOHET NGA PËRDORIMI I CELULARIT
Përtej mungesës së provave përfundimtare që telefonat celularë ulin cilësinë e spermës, rezultatet përfshinin edhe disa lajme inkurajuese për meshkujt. Studiuesit nuk gjetën ndonjë lidhje midis përdorimit të celularit dhe dy aspekteve të cilësisë së spermës që mund të ndikojnë në fertilitetin: formën e spermatozoideve dhe shpejtësinë e lëvizjes së tyre. Studimi gjithashtu nuk gjeti prova të pakontestueshme se mbajtja e një celulari në xhepin e pantallonave ndikon në uljen e numrit të spermatozoideve.
“Nëse meshkujt janë të shqetësuar, atëherë mbajtja e telefonave në një çantë dhe kufizimi i përdorimit të tyre është një gjë relativisht e lehtë për ta bërë”, thotë Pacey. “Por aktualisht nuk ka asnjë provë që do të përmirësojë cilësinë e spermës së tyre. Sa për mua, do të vazhdoj ta mbaj telefonin në xhepin e pantallonave.”
BURRAT NUK DUHET TË ALARMOHEN, THONË EKSPERTËT
Imran Omar, MBBS, MD, urolog dhe hulumtues i lartë në Universitetin e Aberdeen në Skoci, pajtohet se këto gjetje të studimit nuk duhet t’i trembin burrat që të ndryshojnë zakonet e tyre të telefonit celular.
“Ndërkohë që ka kërkime të vazhdueshme mbi efektet e mundshme të përdorimit të celularit në fertilitet, provat nuk janë përfundimtare dhe ndikimi, nëse ka, duket të jetë relativisht modest,” thotë Dr. Omar, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri. “Burrat nuk duhet të shqetësohen shumë për përdorimin e telefonit celular që ka një efekt negativ të rëndësishëm në fertilitet.”
Nëse ata janë të shqetësuar, ka disa hapa që burrat mund dhe duhet të ndërmarrin për të ruajtur fertilitetin e tyre, shton Omar. “Faktorët e stilit të jetesës, si të qendruarit gjatë kohë i ulur ose zakone të tjera si pirja e duhanit ose dieta e dobët mund të ulin gjithashtu cilësinë e spermës,” thotë Omar. “Është thelbësore të ruani një stilë jetese të shëndetshme dhe të përdorni telefonat celularë në moderim, pasi përdorimi i tepërt mund të ketë efekte të tjera negative shëndetësore përtej ndikimeve të mundshme në fertilitet.”
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK