Ndonjëherë mjafton vetëm një “jo” që një njeri të fillojë të dyshojë në veten e tij, në një ide, projekt apo ëndërr për të cilën ka punuar me muaj, madje edhe me vite.
Refuzimi nuk është fundi: Histori të njerëzve që ndryshuan botën sepse nuk e pranuan “JO”
Ndër historitë më të njohura të biznesit të ditëve të sotme ka shembuj të njerëzve të cilëve u janë mbyllur dyert, idetë u janë refuzuar dhe potenciali nuk u është njohur nga askush. Ajo që i dallon nga të tjerët nuk është se nuk janë refuzuar, por se nuk janë dorëzuar pasi u refuzuan.
Kur të tjerët nuk e shohin atë që shihni ju
Refuzimi është pjesë e pandashme e botës së biznesit. Investitorët refuzojnë startup-et, punëdhënësit refuzojnë kandidatët, botuesit refuzojnë dorëshkrimet, ndërsa kompanitë e mëdha hedhin poshtë ide që u duken shumë të rrezikshme ose thjesht jo bindëse.
Problemi është se potenciali i vërtetë rrallëherë mund të matet në momentin kur shfaqet. Po të ishte e mundur, të gjithë do ta kishin njohur.
Cfar ndodhi me J.K. Rowling. Para se Harry Potter të bëhej një fenomen global, dorëshkrimi i saj u refuzua disa herë. Sot, seria Harry Potter është një nga më të suksesshmet në historinë e botimeve.
Nga dështimi te perandoria
Ndoshta edhe më interesante se historitë e artistëve të refuzuar janë ato nga bota e biznesit.
Kur Ferruccio Lamborghini, prodhuesi i suksesshëm italian i traktorëve, ia vuri në dukje Ferrarit problemet që kishte vënë re te makinat e tyre, vërejtjet e tij nuk u pritën mirë. Në vend që të hiqte dorë, ai vendosi të ndërtonte vetë një makinë sportive. Kështu lindi Lamborghini, sot një nga markat më të njohura të automobilave në botë.
Edhe Enzo Ferrari nuk pati një fillim të lehtë. Si i ri, ai u përpoq të punësohej te Alfa Romeo, por nuk mori mundësinë që dëshironte. Më vonë themeloi një kompani që do ta kthente mbiemrin e tij në simbol të prestigjit, shpejtësisë dhe inxhinierisë automobilistike.
Të refuzuar, të nënvlerësuar, të injoruar: Si lindën sukseset më të mëdha pas një “jo”
Sa herë duhet të provoni?
Një nga shembujt më të njohur të këmbënguljes është James Dyson. Përpara se fshesa e tij revolucionare pa qese të dilte në treg, ai ndërtoi plot 5.127 prototipe.
Shumica e njerëzve do të ishin dorëzuar shumë më herët. Por pikërisht gatishmëria për të provuar përsëri dhe përsëri bën shpesh dallimin mes dështimit dhe suksesit. Jo sepse çdo përpjekje është një hap përpara, por sepse çdo dështim sjell një mësim të ri.
Edhe Steve Wozniak pati një përvojë të ngjashme. Projekti i tij për një kompjuter personal u refuzua pesë herë nga HP, e cila nuk arriti ta kuptonte potencialin e idesë që më vonë do të bëhej një nga themelet e Apple dhe do të ndryshonte industrinë e teknologjisë.
As Jack Ma nuk u kursye nga refuzimet. Kur KFC hapi një restorant në qytetin e tij, ai aplikoi për punë së bashku me 23 kandidatë të tjerë. Të gjithë u pranuan, përveç tij. Kjo nuk e ndaloi të vazhdonte. Vite më vonë, ai themeloi Alibaba, kompani që u shndërrua në një nga liderët më të mëdhenj botërorë të tregtisë elektronike.
Mundësitë më të kushtueshme të humbura
Refuzimi nuk ndikon vetëm tek ata që marrin një përgjigje negative. Ndonjëherë ata që refuzojnë paguajnë çmimin më të lartë.
Kompania Excite pati mundësinë ta blinte Google për vetëm 750.000 dollarë, por vlerësoi se ideja nuk kishte potencial të mjaftueshëm. Sot është pothuajse e pamundur të imagjinohet interneti pa Google.
Në fillim të viteve 1990, Nintendo hoqi dorë nga bashkëpunimi me Sony për zhvillimin e një konsole me disqe optike. Sony vazhdoi e vetme dhe disa vite më vonë prezantoi PlayStation, një nga markat më të suksesshme të lojërave të të gjitha kohërave.
Nuk ekziston një gjykatës universal për potencialin
Ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm nga të gjitha këto histori. Refuzimi nuk është një vlerësim objektiv i vlerës sonë. Shpesh ai tregon më shumë për rrethanat, momentin ose perceptimin e palës tjetër sesa për vetë idenë.
Njerëzit që vazhduan të ndryshojnë industri, të krijojnë kompani me vlerë miliarda dollarë ose të bëhen emra të njohur në mbarë botën nuk patën sukses sepse nuk u refuzuan kurrë. Përkundrazi. Ata patën sukses sepse nuk lejuan që refuzimi t’i përcaktonte.
Sot zakonisht kujtojmë vetëm sukseset e mëdha, por harrojmë sa pengesa dhe dyer të mbyllura kanë qenë në rrugën drejt tyre. I vetmi ndryshim është se disa njerëz vendosën të trokasin në derën tjetër.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK