Ndajshtimi i veçuar mund të shprehet edhe me një përemër të pacaktuar të zgjeruar me një fjalë ose fjali:

Salla ishte mbushur plot me njerëz, disa të rruar e të kruar dhe disa me mustaqet gjer te veshi. Aty hynin e dilnin gjeneralë dhe ushtarë, të gjithë të preokupuar.

Në rolin e ndajshtimeve dalin edhe këta tipa togfjalëshash:

  • emër me përemër dëftor (togfjalëshi rregullisht është i zgjeruar):

I pari, ai djali i shkurtër me pallto të gjatë, ishte specializuar për arkitekturë. Çfarë do të thotë edhe Dodë Garia, ai burrë i malësisë së Krujës, që ka pritur 15 vjet?;

  • përemër dëftor me emër në gjinore:

Ai do të luajë rolin kryesor, atë të Mato Grudës. Vetëm një dhembje ndiente, atë të dhëmballës.;

  • përemri një + parafjala nga + emër; ky togfjalësh mund të dalë edhe si gjymtyrë e përcaktuar:

Kishte mbetur i vrarë vetë Diakosi, një nga kapedanët më trima e më të shquar.

  • një togfjalësh i qëndrueshëm:

Dita e mësuesit, 7 marsi, është festë e arsimit tonë kombëtar.

  • Ndajshtimi i veçuar shpeshherë shprehet me emra që kanë një kuptim më të përgjithshëm, si: njeri, djalë, burrë, grua etj.:

Ndihmësi, një djalë i posaliruar nga ushtria, kruante baltën e plugut Hyn Thanasi, një burrë rreth të pesëdhjetave, me mustaqe të vogla e të zeza. E ëma, një grua e thyer, u mendua e foli.

Në rolin e fjalëve bosht të ndajshtimeve të veçuara mund të dalin gjithashtu edhe ndajshtimet që janë të njëjta kuptimisht me fjalën e përcaktuar. Në këtë rast ndajshtimi mund të shprehet ose me përsëritjen e të njëjtit emër, por me trajtë të pashquar, ose me një fjalë tjetër të afërt semantikisht me fjalën e përcaktuar; pranë këtyre ndajshtimeve ndodhen patjetër fjalë të tjera sqaruese ose fjali përcaktore:

Erdhi vjeshta, një vjeshtë e bukur me ngjyra të arta e me mot të butë. Në sofër ra heshtja, një heshtje e papritur dhe e thellë. Mbi qytet do të binte muzgu i mbrëmjes, një muzg ngjyrë hiri, i ftohtë, i lagësht. Mëngjesi, një mëngjes i qeshur plot me diell, e gjeti Vat Marash Bregasin përpara kullës së vet.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author