Pyetja: Nëse një person bën diçka për të cilën nuk ka nevojë, kjo është absurde! Zoti nuk ka nevojë për ne, pra pse na krijoi?

Përgjigjja: Është marrëzi të mendosh se nevoja përputhet me absurditetin! Në fakt, nevoja përputhet me mençurinë, jo me absurditetin. Një mjek i pasur dhe me reputacion mund t’i trajtojë njerëzit pa pasur nevojë asgjë prej tyre, por i trajton ata për përfitimin e tyre. Këtu nuk e cilësojmë si absurd veprimin e tij! Mençuria dhe një qëllim i madh pas aktit nuk sillen rreth ciklit të nevojës – absurditetit!

Për më tepër, një notues mund të shpëtojë një fëmijë nga mëshira, pastaj ta lërë atë dhe të shkojë pa pritur që prindërit e fëmijës ta falënderojnë. Këtu, veprimi i tij nuk klasifikohet si nevojë ose absurditet, përkundrazi, ky është një veprim bujar, me qëllim fisnik dhe person me karakter të mirë! Pra, nevoja dhe absurditeti nuk janë medoemos të ndërlidhura.

Sipas librit “Sahih Muslim”, Allahu i Plotfuqishëm në një hadith kudsij ka thënë:

“O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë ia jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten.”

Allahu është i lirë nga nevoja e botëve. Prandaj, përpjekja dhe puna jonë janë vetëm për ne.

“Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë.”

[Surja el-Ankabūt: 6]

Ne e dimë se Allahu ka urtësi në të gjithë krijimin e Tij, edhe nëse ne jemi të paditur për të dhe se injoranca e pacientit për urtësinë e mjekut nuk do të thotë se vendimet e mjekut janë absurde.

Njohja e urtësisë hyjnore nuk kërkon kuptimin e të gjitha dimensioneve të urtësisë, por mjafton të kuptosh disa prej tyre! Është e mjaftueshme që ne të dimë se jemi të ngarkuar me adhurimin e Allahut dhe të dimë se ekziston një urtësi hyjnore. Kjo është e mjaftueshme për ne në përgjithësi; përndryshe, ne do të ishim si ata që mohojnë gjithçka që nuk e kuptojnë.

“Por ata e mohojnë atë që nuk e njohin plotësisht, ndërkohë që nuk u ka ardhur ende përmbushja e (premtimeve të) tij. Kështu kanë mohuar edhe popujt që ishin para tyre; prandaj shiko si kanë përfunduar keqbërësit!.”

[Surja Junus: 39]

Allahu është i Urtë dhe na krijoi për një qëllim të urtë, i Lartësuar qoftë Ai! Vetëm Ai është me të vërtetë i denjë për adhurim, askush tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, Krijuesi që na solli në ekzistencë nga hiçi.

Ai ka thënë:

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).”

[Surja el-Bekare: 21]

Është Ai që na udhëzoi, Ai që na dha ligjet, na urdhëroi dhe na ndaloi.

“Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi.”

[Surja ElAraf: 54]

Nuk është vetëm krijimi që i përket Allahut, por edhe urdhri i takon Atij. Ne u bindemi urdhrave të Tij; lavdia i qoftë Atij! Adhurimi është e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij. Ai, i Plotfuqishmi, na krijoi, na dha jetë, na dha furnizim, na udhëzoi dhe na dërgoi të dërguarit e Tij për të na sprovuar se cili prej nesh është më i miri në vepra. Pra, adhurimi është e drejtë e Allahut ndaj nesh.

“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.”

[Surja el-Mulk: 2]

Jeta jonë e kësaj bote dhe e botës tjetër do të rregullohet vetëm me adhurim, as morali ynë nuk përmirësohet pa të; sepse adhurimi parandalon imoralitetin dhe keqbërjen dhe me të do të përmirësohet jeta e kësaj bote.

Zoti ynë i Madhërishëm ka thënë:

“Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.”

[Surja el-Ankabūt: 45]

Parajsën do ta arrijmë vetëm me adhurim, sepse ky është shpëtimi në botën tjetër dhe po ashtu është edhe begati në këtë botë. Adhurimi është për ne dhe për të mirën tonë dhe është obligim që e kemi ndaj Allahut të Madhëruar, sepse Ai është Krijuesi ynë.

Dobia e adhurimit na kthehet vetëm neve dhe neglizhenca na prek vetëm ne. Xheneti është i shtrenjtë, andaj, kush e dëshiron Xhenetin, le të punojë për të. Ne kemi nevojë për Allahun e Plotfuqishëm… Ne kemi nevojë ta adhurojmë Atë, ndërsa Ai është i lirë nga nevoja për ne dhe për të gjitha krijesat e Tij.

Dr. Hejthem Talat

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *