Lufta biologjike nënkupton përdorimin e mikroorganizmave ose të produkteve të tyre (toksineve) dhe ka për qëllim shkatërrimin jo vetëm të fuqisë së gjallë të kundërshtarëve, por edhe të kafshëve dhe bimëve, të cilat janë burim ushqimi për njeriun. Paraqitja epidemike e sëmundjeve infektive i zvogëlon forcat mbrojtëse të vendit, ndërsa te popullata krijon frikë dhe panik.
Historia ushtarake është përplot me shembuj të paraqitjes së të ashtuquajturave “epidemi lufte” të sëmundjeve infektive të zorrëve dhe sëmundjeve tjera infektive (dizenteria, kolera, tifoja ekzantematike, tetanusi), e sidomos
luftërat prej vitit 1912 deri në vitin 1918, si dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (tifoja ekzantematike – me puçrra, hepatiti).
Lufta biologjike është zbatuar në disa fronte në Luftën e Parë dhe të Dytë botërore, ndërsa sipas të gjitha gjasave edhe në kohën më të re, në frontin Korean dhe Vietnamez. Përndryshe, përdorimi i shkaktarëve të sëmundjeve infektive, si armë biologjike është i ndaluar me konventën e Gjenevës të vitit 1925. Supozohet se në luftërat e ardhshme veprimet do të zhvillohen me armë raketore-nukleare, kimike dhe eventualisht, armë biologjike, të cilat shkaktojnë humbje të mëdha njerëzore dhe materiale, kontaminim të dheut, ujit, ushqimit dhe tjerave. Numri i zmadhuar i lëndimeve dhe i sëmurjeve prej sëmundjeve infektive, parashtron para sanitetit ushtarak dhe civil detyra të reja për përkujdesje, evakuim dhe mjekim të personave të sëmurë në kushte të spitaleve infektive fushore.
Në kohë të luftës, kushtet për jetesë përkeqësohen konsiderueshëm, për shkak të shkatërrimit, migrimit të popullatës, mirëmbajtjes së dobët të higjienës së përgjithshme, dobësimit dhe lëndimeve të shpeshta. Në kushte të tilla krijohen mundësi, sidomos në rajonet endemike, për shpërthimin e epidemive dhe paraqitjen e sëmundjeve të reja infektive, me përmasa epidemike, të shkaktuara prej shkaktarëve të përdorur si armë biologjike.

Veçori të cilat duhet t’i përmbush agjenti biologjik (virus, baktere, këpurdha, riketciet…)
– Të jetë virulent
– Të jetë rezistent në mjedisin e jashtëm
– I vështirë për identifikim
– Të mund të prodhohet në sasi të mëdha
– Të mundet të ketë afat të zgjatur për ruajtje

Agjenset biologjike, në formë të preparateve të lëngshme ose të thata shpërndahen përmes aeroplanit me aparate për aerosol, bomba, parashuta, balona, granata dhe mjete tjera të mbushura me agjense biologjike, insekte të infektuar, etj.

Masat specifike

Për mbrojtje nga sëmundjet infektive pas përdorimit të mjeteve luftarake biologjike ndërmerren këto masa specifike: Arsimimi shëndetësor dhe mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të përgjithshme, forcim i rezistencës së popullatës ndaj sëmundjeve infektive, përcjellje mikrobiologjike dhe informim, detektim (zbulim), trijazh, evakuim me etapa (me automjet të posaçëm sanitar), hospitalizim në spital infektiv fushor ose në izolim karantine. Ndërmjet masave bëjnë pjesë edhe zbatimi i terapisë urgjente dhe profilaksës. Profilaksa fillon me detektim, identifikim dhe dekontaminim të agjentit biologjik. Dekontaminimi biologjik është procedurë e ngjashme me dezinfektimin për largimin e agjentit biologjik, para se të depërtojë dhe para se të shkaktojë infeksion në organizëm. Dekontaminimi mundet me qenë natyror dhe artificial. Dekontaminimi natyror e shkatërron agjensin me këto faktorë: kushte klimatike, lagështi, diell, erë, ujë atmosferik, etj. Dekontaminimi artificial bëhet në mënyrë të kombinuar me metoda fiziko-kimike. Dekontaminim i pjesërishëm i pjesëve të zbuluara të trupit të njeriut dhe objekteve kryhet në njësit dhe shfrytëzohet kompleti themelor i mjeteve për dekontaminim personal dhe grupor. Dekontaminimi përfundimtar i njerëzve, objekteve dhe mjeteve teknike zbatohet në stacione speciale me etapa, nga ana e shërbimit sanitar, i cili bashkëpunon me organet e ABHO. Përkujdesja për personat e sëmurë prej sëmundjeve infektive, të shkaktuara prej mjeteve biologjike luftarake, duhet të bëhet si në kushte të kohës në paqe. Për shkak të kushteve të vështirësuara për të caktuar diagnozë etiologjike, pa vërtetim laboratorik, trijazhi i të sëmurëve bëhet në bazë të simptomave të pakta klinike, veçanërisht në fillim të sëmundjes, të cilat grupohen në sindroma klinike: sindroma respiratore, gastrointestinale, sindroma e SNQ dhe sindroma e ndryshimeve lokale.
Evakuimi i personave të sëmurë me sëmundje infektive është me etapa dhe kryhet me automjete të posaçme sanitare të shënuara, deri te spitali fushor për sëmundje infektive, ose në izolim karantine.


Burimi: Mikrobiologjia dhe infektologjia me përkujdesje, Prof. Ilmi Mehmedi dhe Prof. Isjanovska Rozalinda
WWW.STUDENTET.MK

About Author