Detoksimet janë një element kryesor i kulturës moderne të mirëqenies. Dëshironi një zorrë më të shëndetshme? Detoksikoni dietën tuaj. Më pak ankth? Bëni një detoks dixhital. Tani, megjithatë, një lloj tjetër detoksifikimi që përfshin një hormon të zakonshëm, dopaminën, po ngjallë debate në mediat sociale – ndërsa ndjekësit e kësaj praktike premtojnë rezultate që ndryshojnë jetën.

Bërja e një detoksifikimi të dopamines, ose agjërim ndaj dopaminës, përfshin abstenimin nga pothuajse çdo gjë që mund të konsiderohet “dehëse” për trurin. Duke vepruar kështu, thonë përkrahësit e kësaj praktike, do të kuroni një gamë të gjerë sëmundjesh moderne – kryesisht ato të lidhura me motivimin e ulët dhe mungesën e përqendrimi apo fokusit.

Nuk ka dyshim që detoksifikimet e dopaminës janë të njohura. Por a funksionojnë ato? Provat shkencore të disponueshme deri më tani janë të përziera. Dhe nëse e keni gjetur trendin e lartëpërmendur në mediat sociale, ekspertët – përfshirë psikologun që propozoi i pari konceptin – thonë se ndoshta po e bëni gabim.

Ja çfarë duhet të dini për këtë praktikë, duke përfshirë mendimet e ekspertëve të shëndetit dhe se a ja vlen ta provohet.

ÇFARË ËSHTË NJË DETOKS DOPAMINE?

Ju ndoshta mund të keni disa shprehi në jetën tuaj që, ndonëse janë të këndshme për ju, do të dëshironit t’ju merrnin më pak kohë. Ndoshta bëhet fjalë për shfletimin e rrjeteve sociale, shikimi i televizorit, pazari ose ngrënia e tepërt e ushqimeve shumë të dëshiruara për ju. Por duket se çfarëdo që të bëni, e gjeni veten duke u kthyer në zakonin e vjetër. Ju i thoni vetes këtë herë se do të hani më shëndetshëm, dhe ja ku prap jeni me biskotën tuaj të preferuar në dorë.

Teoria e detoksifikimit të dopaminës propozon një shpjegim hipotetik dhe një zgjidhje për këto sjellje të padëshiruara. Teoria thotë kështu: Dopamina është një kimikat shpërblimi dhe kënaqësie që truri ynë çliron kur bëjmë diçka emocionuese ose të këndshme. Por jeta moderne është e ngopur me stimuj që nxisin dopaminën. Kjo do të thotë që truri ynë është i zhytur në dopaminë gjatë gjithë kohës dhe se ne gradualisht kemi nevojë për doza gjithnjë e më të mëdha dopamine për t’u ndjerë të lumtur. Dhe kjo është arsyeja pse ju nuk mund t’i rezistoni kësaj biskote ose të humbni orët e gjumit për të luajtur video lojëra.

Sipas teorisë, nëse i eliminoni këto aktivitete dhe pajisje tepër stimuluese nga jeta juaj, truri juaj do të kthehet në një nivel normal, bazë të dopaminës. Sapo të arrini atje, do të ndiheni më të lumtur edhe nga stimujt më të thjeshtë, do të përjetoni një ndjenjë më të madhe shpërblimi nga gjëra të tilla si suksesi në punë ose stërvitjet fizike ditore dhe do të shihni rritje në produktivitetin dhe aftësinë tuaj për t’u fokusuar.

Problemi me këtë teori, thonë ekspertët mjekësorë, është se truri dhe dopamina nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Megjithatë edhe pse koncepti i të agjëruarit ndaj dopaminës është jo i plotë, apo thjesht një mjet psikologjik i keqkuptuar, ai në praktik është potencialisht i dobishëm.

SI FUNKSIONON NË TË VËRTETË NJË DETOKS DOPAMINE?

Sipas një postimi të vitit 2019 në LinkedIn nga Cameron Sepah, PhD, psikolog i shkollës mjekësore të UCSF nga San Francisko, të cilit i atribuohet shpikja e konceptit të abstenimit ndaj dopaminës, një detoksifikim i dopaminës në fakt nuk ka shumë të bëjë me kiminë e trurit – ishte thjesht një titull tërheqës. Agjërimi ndaj dopaminës nuk e zvogëlon sasinë e dopaminës në trurin tuaj, thotë Dr. Sepah. Përkundrazi, ishte menduar si një teknikë për të reduktuar sjelljet impulsive të padëshiruara, me rrënjë në teorinë e kushtëzimit klasik.

Sepah sugjeron se sjelljet e varësisë janë të rrënjosura në të njëjtën teori bazë. Merr telefonin, futesh në YouTube dhe shikon një video. Videoja është qesharake, emocionuese apo argëtuese. Me kalimin e kohës, përsëritja e të njejtit veprim përsëri dhe përsëri krijon një sjellje automatike. Tani sa herë që shihni telefonin tuaj, ju lundroni në YouTube dhe filloni të shikoni video – me sa duket pa një vendim të vetëdijshëm për të shikuar video në YouTube.

Agjërimi i dopaminës, siç synohej fillimisht nga Sepah, është krijuar për të thyer lidhjen midis stimulit dhe sjelljes apo përgjigjes ndaj stimuluesit, argumenton Sepah. Pjesa e “agjërimit” përfshin krijimin e një hapësire në jetën tuaj që është e lirë nga stimujt që shkaktojnë sjellje të padëshiruar. Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e telefonit tuaj në një dhomë tjetër, përdorimin e softuerit për të bllokuar aplikacionet “problematike” ose mediat sociale.

Sepah vëren se koncepti i “agjërimit” ishte menduar gjithmonë të ishte i bazuar në një kohë të përcaktuar dhe për një sjellje të specifike. E thënë më thjeshtë, në vend që të përpiqeni të shmangni të gjitha përvojat potencialisht të këndshme për një kohë të pacaktuar, ideja ishte të përcaktoni periudha kohore, rutinë, ku të shkëputeni nga vetëm disa sjellje të padëshiruar. Shembujt mund të përfshijnë bllokimin e mediave sociale për katër orë para gjumit, ose lënien e telefonit tuaj për një ditë në fundjavë.

Teoria këtu, shpjegon John Christy Johnson, një student i inxhinierisë mjekësore dhe biomjekësore në Universitetin e Albertës në Edmonton në Kanada, është se duke vendosur një periudhë kohore të izoluar nga stimujt që çojnë në zakonet tuaja të padëshiruara, gradualisht e thyeni lidhjen në trurin tuaj midis stimujve dhe zakonit të padeshiruar. Johnson shkroi një përmbledhje kërkimore duke marrë parasysh provat ekzistuese për praktikën e detoksifikimit të dopaminës. Kur përfshiheni shpesh në një sjellje, kjo forcon rrugët në tru dhe ato bëhen më automatike. Dhënia e trurit tuaj një pushim do t’i pakësojë ato rrugë të zakonshme dhe do t’ju japë kontroll më të vetëdijshëm të sjelljes.

Agjërimi në fjalë përfshin gjithashtu edhe praktikimin e një qasjeje të terapisë konjitive të sjelljes (CBT) të quajtur “parandalimi i ekspozimit dhe reagimit” në të cilën ju e ekspozoni qëllimisht veten ndaj stimujve pa u përfshirë në përgjigjen e kushtëzuar, thotë Sepah. Kjo teorikisht rrit tolerancën tuaj ndaj shqetësimit dhe pakëson fuqinë e zakonit mbi ju.

ÇFARË THONË HULUMTIMET PËR ABSTENIMIN NDAJ DOPAMINËS?

Gjëja e parë është: Nuk ka asnjë provë shkencore që të bësh një ” dopamine-detox” do të zvogëlojë sasinë e dopaminës në trurin tuaj. Ideja që ju mund të përmirësoni ndjenjën tuaj të fokusit dhe të motivimit duke “detoksifikuar” trurin tuaj nga një mbingarkesë e dopaminës është një fantazi e sajuar në internet.

“Ju nuk e reduktoni sasinë e dopaminës në asnjë formë apo mënyrë,” thotë Johnson. “Nëse do ta kishit reduktuar atë në ndonjë menyrë apo formë, atëherë do të kishit një gjendje mjekësore si ajo e Parkinson-it.” Parkinson, sipas Shoqatës Amerikane të Neurokirurgëve, shoqërohet me humbjen e qelizave që prodhojnë dopaminë në tru.

Por mitologjia që çoi në kuptimin popullor të abstenimit ndaj dopaminës është ndërtuar prej vitesh, thotë John Salamone, drejtor i programit të neuroshkencës së sjelljes në Universitetin e Konektikatit në Storrs. Në disa studime të hershme neurologjike ndaj përdoruesve të drogës, studiuesit vunë re se dopamina dukej se ishte e lidhur me varësinë ndaj drogës në një farë mënyre. Këto studime çuan në idenë se dopamina ishte “kimikali i kënaqësisë” në tru që ishte përgjegjës për të na bërë të ndiheshim mirë. Dopamina e ruan këtë reputacion edhe sot.

E megjithatë, nëse kjo ishte e vërtetë, thotë Salamone, duke u dhënë subjekteve të testimit një ilaç që frenon dopaminën duhet të zvogëlojë ndjenjat euforike gjatë përdorimit të drogës. Por studimet më të fundit sugjerojnë se kjo nuk është kështu.

Mendimi i sotëm është se dopamina është e lidhur më ngushtë me procese si motivimi dhe të mësuarit, por shfaqet gjithashtu kur njerëzit ndihen të stresuar, kështu që roli i saj në tru duket të jetë i komplikuar, thotë Salamone.

Megjithëse kërkimet mbi këtë temë janë të kufizuara, hulumtimet ndaj kësaj praktike kanë treguar premtime në trajtimin e një numri të madh të shprehive të padeshiruara, thotë Johnson. Në një prej studimeve kjo teknikë kufizuese ishte efektive për të menaxhuar varësinë ndaj video lojërave në internet në 78 përqind të pjesëmarrësve në studim. Një studim tjetër zbuloi se të kufizuarit ndaj aksesit të parave përmirësonte pajtueshmërinë e pacientëve ndaj trajtimit për çrregullimin e shkaktuar nga lojërat e fatit.

Një studim tjetër vërtetoi se kjo teknikë ndihmoi në reduktimin e episodeve të ngrënies së tepërt te njerëzit me çrregullime shoqëruese të ngrënies. Por studime të tjera zbuluan se vetëm 31.3 përqind e pjesëmarrësve me varësi të lidhur me ushqimin panë ndonjë humbje të qëndrueshme në peshë, gjë që autorët e studimit argumentuan se ishte një shenjë se ndërhyrja nuk rezultoi në ndryshim të qëndrueshëm të sjelljes.

Johnson thotë se mund të jetë e vërtetë që shkëputja nga video lojërat ose TV për një periudhë kohore do t’ju ndihmojë të fitoni kontrollin mbi zakonet e padëshiruara. Por ende nuk ka asnjë arsye për të besuar se kjo do të përmirësojë drejtpërdrejt ndjenjën tuaj të motivimit ose disponimit tuaj të përgjithshëm ashtu siç pretendojnë disa përkrahës të kësaj metode, thotë Johnson. Nëse jeni në vazhdimësi i preokupuar me blerjet në internet ose mediat sociale dhe kjo po ju humbë kohën, eliminimi i këtij zakoni mund të përmirësojë performancën tuaj në punë ose në shkollë thjesht sepse keni më shumë kohë për të studiuar tani. Kjo mund të shpjegojë pse praktikuesit e agjërimit të dopaminës raportojnë se ndihen më produktivë pas zbatimit të kësaj forme të agjërimit.

E gjithë kjo ngre pyetjen: “Pse të mos thuash që këto janë zakone të shëndetshme në vend që të krijojmë një koncept të rremë?” thotë Peter Grinspoon, MD, një instruktor në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe një trajner i certifikuar për shëndetin dhe mirëqenien në Boston, i cili është kritik për përdorimin e termit “detoks dopamine” sepse ai beson se kjo ka çuar në keqinterpretime potencialisht të dëmshme edhe pse ai mbështet praktikën e përgjithshëm të reduktimit të përdorimit të telefonit dhe internetit. “Kemi mjaft informacion shkencor, unë nuk mendoj se është etike të dalësh me një konstrukt të pakuptimtë edhe nëse i detyron njerëzit të adoptojnë zakone të shëndetshme.”, thotë ai.

KUSH DUHET TË PROVOJË NJË DETOKSIFIKIM TË DOPAMINËS?

Bazuar në praktikën e tij klinike, Sepah identifikoi gjashtë kategori sjelljesh që ai i konsideronte “zakone problematike dhe të prirura ndaj varësisë”. Mbani në mend jo të gjitha këto zakone janë varësi klinikisht të diagnostikueshme. Kjo perfshin:

  • Të ngrënurit emocional
  • Përdorimi i internetit dhe videolojërat
  • Bixhoz dhe shopping
  • Porno dhe masturbim
  • Droga rekreative
  • Kërkimi i vazhdueshëm të risive, dhe aktiviteteve të rrezikshme

Siç thotë Sepah, kategoria e fundit mund të përfshijë aktivitete me rrezik të lartë, të tilla si shpejtësia e lartë në autostradë, dhe sjellje më pak të rrezikshme por përseri që kanë potencial të shkaktojnë varësi, si shikimi i filmave. Nëse një sjellje, që shkakton një nivel të lartë emocional, ka filluar të ndërhyjë në jetën tuaj, kjo është diçka që duhet ta konsideroni si një kandidat për një detoksifikim dopamine, thotë Sepah.

Megjithatë, ai thotë se qëllimi pas një detoks dopamine nuk është që të shmangen të gjashtë sjelljet menjëherë – vetëm sjellja e synuar që ka krijuar problemin. Dhe sigurisht që nuk kishte për qëllim të sugjeronte shmangien e çdo kënaqësie.

Ai gjithashtu vuri në dukje se një detoks dopamine ndaj të ushqyerit të tepruar nuk përfshin abstenim nga ushqimi i shëndetshëm. Ai sugjeroi që ushqimet ultra të përpunuara dhe ushqimet me sheqer ose yndyrë të shtuar mund të jenë kandidatë të mirë për një agjërim të tillë të synuar – gjëra të tilla si pijet e ëmbla dhe patatinat. Këto janë llojet e ushqimeve që priren të jenë shumë shpërblyese “sepse ju bëjnë të ndiheni mirë (përforcim pozitiv) dhe më pak keq kur ndiheni të stresuar”, thotë ai.

Por nuk mjafton thjesht të shmangni një sjellje dhe të shpresoni që truri juaj të gjejë diçka tjetër për të bërë me kohën që dikur kalonte duke luajtur video lojëra. Krijimi i zakoneve të reja të shëndetshme për të zëvendësuar të vjetrën është gjithashtu një hap i rëndësishëm që nuk duhet të injorohet, thotë Salamone.

Grinspoon gjithashtu vë në dukje se nëse problemi ka filluar të ketë ndikime të rënda në funksionimin tuaj të përditshëm, është më mirë të kërkoni ndihmën e një terapisti profesionist i cili është i specializuar në fushën e varësisë.

“Nëse nuk mund ta kontrolloni varësinë nga bixhozi, ngrënien e tepërt ose masturbimi, gjëja më e rëndësishme është të kërkoni ndihmë profesionale”, thotë Grinspoon. “Ngase kjo është diçka më e komplikuar dhe nëse do të ishte thjesht një problem vullneti, atëherë nuk do të ishte problem fare.”

PËRMBLEDHJE

Është e lehtë të kuptosh se si koncepti i agjërimit ndaj dopaminës u përhap dhe u bë kaq i popullarizuar – dhe kaq i keqkuptuar – kaq shpejt, thotë Salamone. Jeta moderne do të thotë se shumica e njerëzve bombardohen vazhdimisht nga stimujt dhe të mësuarit se si të menaxhojmë ndjenjat dhe të moderojmë konsumin tonë është një sfidë e vërtetë. Andaj mbetet një nevojë reale për kërkime shkencore në mjedise të kontrolluara për të vërtetuar nëse formula e propozuar nga Sepah është vërtet efektive.

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *