Diagnoza e vdekjes së trurit definohet si “vdekje e bazuar në mungesën e të gjithë funksioneve neurologjike”. Familjet që kanë pasur një të dashur të deklaruar të vdekur në tru mund të kenë pyetje se çfarë kuptimi ka termi në të vërtetë.

Vdekja në tru është një përkufizim ligjor i vdekjes, një koncept mjaft i vjetër, që daton që nga paraqitja e ventilimit mekanik dhe teknologjive të tjera që mund të mbajnë trupin e një personi të mbushur me oksigjen edhe kur funksioni i trurit të tij zhduket në mënyrë të pakthyeshme. Përkufizimi i parë klinik i vdekjes së trurit u botua në 1968 dhe bazat ende zbatohen: Vdekja e trurit diagnostikohet kur pacienti humb aftësinë për vetëdije, nuk tregon reflekse të trungut të trurit siç është reagimi i pupilave të syrit ndaj dritës dhe nuk mund të marrë frymë në mënyrë të pavarur.

Cilët janë kriteret që përcaktojnë vdekjen e trurit?
Kriteret përcaktohen me ndihmën e testeve neurologjike të cilat bazohen në udhëzime mjekësore të shëndosha dhe të pranuara me ligj. Testet përfshijnë ekzaminime klinike për të treguar se një individ nuk ka reflekse të trurit dhe nuk mund të marrë frymë vetë. Në disa situata, teste të tjera mund të jenë të nevojshme. Ju mund t’i kërkoni mjekut tuaj t’ju shpjegojë ose t’ju tregojë se si u përcaktua vdekja e trurit për të dashurin tuaj. Ndoshta, një individ mund të tregojë aktivitet ose reflekse nga palca kurrizore të tilla si dridhje ose tkurrje të muskujve. Reflekset kurrizore shkaktohen nga impulse elektrike që mbesin në boshtin kurrizor. Këto reflekse mund të ndodhin edhe pse truri është i vdekur.

Çfarë ndodh me një individ ndërsa bëhen këto teste?
Individi vendoset në një makinë që merr frymë për të, e quajtur ventilator. Kjo makinë është e nevojshme sepse truri nuk mund të dërgojë më sinjale që i thonë trupit të marrë frymë. Mund të jepen edhe ilaçe të veçanta për të ndihmuar në ruajtjen e presionit të gjakut dhe funksioneve të tjera të trupit. Gjatë ekzaminimeve ventilatori dhe ilaçet vazhdojnë, por ato nuk ndikojnë në rezultatet e testimit.

A ka ilaçe që mund të ndalojnë trurin të funksionojë dhe të japin një diagnozë të gabuar?
Disa ilaçe mund të maskojnë funksionin e trurit, siç janë relaksuesit e muskujve dhe qetësuesit. Testimi mund të bëhet vetëm kur individi ka nivele të ulëta të këtyre barnave në trup. Mund të jetë e nevojshme të prisni që këto nivele të ulen. Mjeku më pas mund të mas saktë aktivitetin e trurit. Ndonjëherë, teste të tjera bëhen për të konfirmuar vdekjen e trurit nëse disa ilaçe janë të pranishme në trup.

Nëse vërtetohet vdekja e trurit, pse zemra e një individi vazhdon të rrahë?
Për sa kohë që zemra ka oksigjen, ajo mund të vazhdojë të punojë. Ventilatori siguron oksigjen të mjaftueshëm për të mbajtur rrahjet e zemrës për disa orë. Pa këtë ndihmë artificiale, zemra do të pushonte së rrahuri.

A është e mundur që një individ të jetë në koma?
Jo. Një pacient në gjendje kome vazhdon të ketë aktivitet dhe funksion të trurit. Kur ndodh vdekja e trurit, i gjithë funksioni i trurit pushon dhe nuk ka asnjë shans për shërim.

A ka ndonjë gjë tjetër që mund të bëhet?
Para se të konfirmohet vdekja e trurit, bëhet gjithçka e mundur për të shpëtuar jetën e një individi. Pas vendosjes së diagnozës së vdekjes së trurit nuk ka asnjë mundësi shërimi.

Çfarë ndodh kur një individ shpallet i vdekur në tru?
Pasi të bëhet diagnoza e vdekjes së trurit, një individ shpallet legalisht i vdekur. Kjo është koha që duhet të paraqitet në certifikatën e vdekjes. Koha e vdekjes nuk është koha kur hiqet nga ventilatori.

A ndjen ndonjë dhimbje apo vuan një individ pasi deklarohet vdekja e trurit?
Jo. Kur dikush ka vdekur, nuk ka ndjenjë dhimbjeje ose vuajtjeje.

Pasi deklarohet vdekja e trurit, çfarë ndodh më pas?
Një profesionist i kujdesit shëndetësor do të flasë me ju dhe familjen tuaj për disa vendime që duhet të merren në këtë kohë. Midis atyre vendimeve mund të jetë heqja e ventiluesit dhe mundësia e dhurimit të organeve dhe / ose indeve.

Mos harroni, individi tashmë ka vdekur ligjërisht dhe heqja e ventilator nuk shkakton vdekje.

PËRSHTATI DHE PËRMBLODHI:
WWW.STUDENTET.MK

About Author