Duke pasur parasysh numrin e madh të produkteve të inteligjencës artificiale (IA) që janë të disponueshme sot, po bëhet gjithnjë e më joshëse t’u lëmë detyrat e vështira mendore chatbotëve, agjentëve dhe mjeteve të tjera. Ndërsa lundrojmë në këtë terren të ri teknologjik, gjithnjë e më shumë jemi të ekspozuar ndaj sasisë së madhe të informacionit dhe softuerëve shumë të sofistikuar që ofrojnë të mendojnë në vendin tonë.

Në vetëm disa sekonda, mjete si ChatGPT, Claude apo Gemini mund të hartojnë email-e për ju, të gjenerojnë një mesazh të ngrohtë urimi për ditëlindje për një mik, madje edhe të përmbledhin ngjarjen e një romani që ende nuk keni pasur kohë ta lexoni. Ky delegim i shtuar i detyrave ka shkaktuar frikë se njerëzit do të bëhen tepër të varur nga IA. Kjo mund të ketë pasoja të padëshiruara, si dobësimi i aftësive tona për mendim kritik dhe rënia e përgjithshme e kapaciteteve njohëse.

A është kjo frikë e justifikuar?

Kjo frikë nuk është e pabazë. Studimet tregojnë se mjedisi online shfrytëzon prirjet tona njohëse ,dallimet individuale në mënyrën se si mendojmë, perceptojmë, përqendrohemi dhe kujtojmë. Si rezultat, disa njerëz përdorin “shkurtore mendore” dhe merren me informacionin vetëm sipërfaqësisht. Studime të tjera e lidhin përdorimin e lartë të IA me rritje të dembelisë, ankthit, angazhim më të ulët kritik dhe ndjenjë varësie.

Megjithatë, ndoshta problemi nuk është përdorimi i IA, por mënyra se si e përdorim atë. Në përgjithësi, mbështetja në burime të jashtme është normale ,ne e bëjmë këtë vazhdimisht. Por është e rëndësishme të mbetemi në kontroll të asaj që zgjedhim të delegojmë dhe pse.

Delegimi kundrejt mbështetjes (scaffolding)

Ne vazhdimisht mbështetemi në njohuritë e të tjerëve për të funksionuar si shoqëri. Mjekët japin informacione mjekësore, inxhinierët ndërtojnë, këshilltarët financiarë japin udhëzime për investime, etj. Kjo shpërndarje e ekspertizës i siguron secilit prej nesh më shumë njohuri sesa mund të zotërojmë individualisht. Me fjalë të tjera, ne vazhdimisht balancojmë delegimin (duke lejuar dikë tjetër të mendojë) me mbështetjen (duke përdorur burime të jashtme për të pasuruar mendimin tonë).

Mbështetja ndodh shpesh gjatë të nxënit. Për shembull, një mësues nuk shkruan një ese për nxënësin ,ai jep komente që nxënësi të mund të përmirësohet dhe të zgjerojë njohuritë e tij. E rëndësishme është që të mos ia delegojmë të gjitha detyrat mendore një burimi të vetëm. Në vend të kësaj, ne vlerësojmë besueshmërinë dhe ekspertizën e burimit dhe kontrollojmë se si informacioni i ri përputhet me atë që dimë tashmë.

Roli i njohjes (kognicionit)

Kognicioni (aftësitë tona të të menduarit) është thelbësor. Mendja jonë përfshihet në tre procese kryesore:

  • Kodimi: krijimi i kujtimeve të reja
  • Ruajtja: mbajtja e tyre me kalimin e kohës
  • Rikthimi: qasja në to kur na duhen

Kognicioni varet nga bashkëpunimi i këtyre proceseve. Kur jemi të mbingarkuar me informacion, delegimi i detyrave te burime të jashtme e zvogëlon përpjekjen mendore. Studimet tregojnë se kur vëmendja jonë është e lodhur, ne fokusohemi më shumë në kodimin e informacionit dhe sakrifikojmë ruajtjen dhe rikthimin. Edhe pse duket sikur të menduarit ndodh vetëm në tru, në fakt ai shpesh shtrihet edhe në mjedisin tonë ,te njerëzit, objektet fizike dhe mjetet digjitale. Për shembull, një ditar mund të jetë një “zgjatim” i mendjes suaj.

Megjithatë, delegimi i pakontrolluar i të mësuarit dhe ruajtjes së njohurive te burime të jashtme . si p.sh. pyetja e vazhdueshme e ChatGPT për gjithçka , mund të dëmtojë mendimin kritik. Sa më shumë njohuri të kemi, aq më mirë mund të përpunojmë dhe kuptojmë informacionin e ri.

Si të arrijmë ekuilibrin?

Për të rikthyer balancën, duhet të kryejmë vetë detyrat më të vështira mendore, jo vetëm t’i delegojmë ato kur është më e lehtë. Zgjedhja më e shpejtë nuk është gjithmonë më e mira ,ashtu si ecja është më e dobishme për trupin dhe mendjen sesa vozitja. Ndonjëherë përpjekja sjell përfitim.

Kur përdorni mjete IA, ju mund të zgjidhni: t’i kontrolloni ato, ose të kontrolloheni prej tyre.

Praktikoni reflektimin

Një mënyrë për të balancuar marrëdhënien me IA është reflektimi. Pyeteni veten:

  • Si ndihem pasi përdor IA?
  • Jam krenar dhe i kënaqur apo i mbingarkuar dhe i shqetësuar?
  • Sot e zëvendësova apo e përmirësova mendimin tim?
  • Çfarë mund të bëj nesër për të zhvilluar aftësitë e mia mendore?

Për një marrëdhënie të shëndetshme me IA, duhet të ushtrojmë të gjitha aftësitë tona mendore, përndryshe, rrezikojmë t’i humbasim ato.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *